Që në kohën kur ka mbëritur në Kategorinë Superiore, Kukësi pothuajse është transferuar në Tiranë dhe në qytetin e vet shkon vetëm një herë në dy javë, për të luajtur në “Zeqir Ymeri” sipas kalendarit. Përjashtim bëjnë rastet, kur skuadra verilindore ka përpara ndonjë takim shumë të rëndësishëm dhe i tillë është gjykuar ky që do të luhet sot ndaj Luftëtarit, megjithëse flitet për një kundërshtar të sapo mbërritur në Kategorinë Superiore.
Fitorja e atij 90 minutëshi është një objektiv taksativ, duke patur parasysh që kryesuesit e Skënderbeut dhe Partizanit do të ndeshen mes tyre. Kështu, presidenti Gjici ka urdhëruar grumbullimin e skuadrës në Kukës dhe një gjë e tillë e ka një arsye. Futbollistët do të kryejnë disa seanca stërvitore në fushën ku edhe do të zhvillohet takimi, ndërsa pas tyre, nuk kanë asnjë mundësi për të lëvizur të pakontrolluar. Kjo quhet një “heqje lirie” e domosdoshme, në këtë moment të rëndësishëm të kampionatit.