Kupa, Flamurtari kap sërish “mat” Partizanin, fitojnë Skënderbeu e Laçi!

E njëjta ndeshje, kompeticion tjetër, i njëjti rezultat. Përfundon sërish 1-0 përballja Flamurtari-Partizani në Vlorë, këtë herë për Kupën e Shqipërisë. Flamurtari mund të quhet pa asnjë dyshim më pranë gjysmëfinaleve, sidomos duke pasur parasysh se përballë janë dy ekipe që nuk pësojnë gola lehtë.

Triumfi i trajnerit Duro besohet se ishte pak më i lehtë, sepse në stolin e kryeqytetasve nuk ishte Sulejman Starova, i dënuar nga Disiplina. Partizani, gjithsesi, luftoi në pjesën e parë duke pasur disa mundësi për shënim, ndërsa iu anulua një gol për ndërhyrje të gabuar, por pas pushimit gjithçka ndryshoi. Flamurtari pati epërsi, krijoi raste dhe goditi shtyllën, si dhe shënoi golin, pas një gabimi të portierit mik, Alban Hoxha.

Skuadra numër 2 e Superligës fitoi, por po ashtu fitoi edhe skuadra numër 1. Skënderbeu kryesues nuk e pati aspak problem të kalonte në Durrës, përballë një Teute në krizë të plotë. Korçarët e trajnerit Daja bënë edhe autokritikë pas humbjes në Gjirokastër, duke reaguar si kampionë të vërtetë. Ishte Xhejms, qendërsulmuesi i sajuar, që e dërgoi dy herë topin në rrjetë. Bashkë me Skënderbeun, pranë kualifikimit është edhe Laçi që kaloi papritmas 3-0 Luftëtarin në Kurbin.

I vetmi barazim i çerekfinaleve ishte ai mes Tiranës dhe Kukësit, në përballjen e luajtur në “Selman Stërmasi”. Kryeqytetasit luftuan fort, edhe pse një kategori më poshtë sesa kuksianët, por i dëmtoi kartoni i kuq i marrë nga Turtulli. Gjithsesi, ata kaluan në epërsi me golin e shënuar nga afrikani Sentamu, por në minutat e fundit kampionët e Shqipërisë barazuan me anë të sulmuesit Guri. Ndeshjet e kthimit luhen në 14 shkurt.

Sfidanti.al