Kukësi vazhdon arratisjen në Superligë, Tirana bie sërish!

Pragmatik, cinik, me lojë jo spektakolare. Dakord, i tillë është Kukësi, vetëm se di të fitojë. Ndoshta e pranueshme për një skuadër që kërkon titullin e parë në histori, kur e bëjnë të tjerë nëpër botë që kanë fituar tituj të mëdhenj. Një gol i vetëm shënuar nga Izair Emini në minutën e 37-të, mjaftoi për të marrë tri pikët ndaj Teutës në “Zeqir Ymeri” dhe për të arritur në kuotën e 42 pikëve. Pak gola shumë pikë, por kjo nuk vlen vetëm për skuadrën e trajnerit Ernest Gjoka, që gjithsesi ka shënuar më shumë sesa të tjerat, 25 gola ndaj 19 të Partizanit e 17 te Skënderbeut.

Në ndeshjen tjetër të orës 14:00, Tirana ra në sy me një tjetër humbje, këtë herë në Laç. Disfata në Durrës u shoqërua me të dytën radhazi, sërish vetëm 0-1, por me përfundim që asnjë pikë nuk u mor, ndërsa kampionati duket i kompromentuar jo vetëm për titullin, por edhe për një vend në Europë. Në stadiumin e Laçit, vendasit triumfuan falë golit shumë të bukur i shënuar në fund të pjesës së parë nga Emanuel Mensah.

Tirana mbetet në kuotën e 27 pikëve dhe kërcënohet për t’u zbritur poshtë në renditje nga Luftëtari e Vllaznia, ndërsa kurbinasit kaluan Teutën në renditje (20 pikë ndaj 19), duke hedhur një hap drejt mbijetesës.