Kukësi pati fatin dhe arbitrin me vete, Superliga nuk dëshiron të ketë “zot”!

E kishim harruar, mesa duket, sesa barazpeshë ka ky sezon. Superliga shqiptare nuk dëshiron të ketë pronar këtë vit sportiv, dhe pas disfatës së Partizanit në Korçë një ditë më parë, ja ku erdhi edhe prova tjetër, vuajtja e patregueshme e Kukësit ndaj Luftëtarit. Kryesuesit jo vetëm që nuk e morën dot fitoren për të ciliën kishin shkuar në Gjirokastër, por duhet të falenderojnë fatin, madje edhe arbitrin Bastari, që u anuloi vendasve një gol, që sipas pamjeve filmike duket i rregullt.

Protesta të forta nga gjirokastritët e trajnerit të ri Nikolin Çoçlli, gjë që nuk ndryshoi asgjë, por as në fushën e lojës nuk ndodhi ndonjë ndryshim, me Luftëtarin që pati epërsi në lojë dhe sidomos në raste. Gjirokastritët patën dyfishin e mundësive për gol, por as ata nuk mundën të shënonin.

Kukësi e trajnerit me përvojë Shpëtim Duro nuk arriti dot thuajse në asnjë moment që të tregonte epërsinë e një skuadre më cilësore. Pavarësisht se në fushë ishte treshja ofensive, Gavazaj-Abazaj-Shkurtaj, dhe në mesfushë Musolli e Limaj, madje pas pushimit edhe Rroca, kryesuesit nuk ia dolën.

E vërteta është që barazimi nuk i bëri punë asnjë skuadre, pasi Kukësi pretendonte fitore e shkëputje në renditje, dhe Luftëtari dëshironte t’i afrohej zonës së mbijetesës në Superligë. Gjithsesi, përballja më shumë se e barabartë me nënkampionët, mund t’i bëjë krenarë bluzinjtë dhe pse jo t’u japë shpresë për të ardhmen.

Sfidanti.al