Trajneri Gjoka i Kukësit nuk është menduar shumë për të gjetur një alibi, për fitoren e munguar në transfertën e Gjirokastrës. Sipas tij, shkak që skuadra nuk ka qenë konstante në lojën e saj, është bërë edhe lodhja, për shkak të ngjeshjes së kalendarit. Kështu, ajo që është ndjerë shumë kohë më parë, u tha me zë pikërisht kur presidenti Gjici kërcënoi me një mbledhje spektakolare, pas atij 2-2 të Kukësit ndaj Luftëtarit, ku për më tepër nuk mjaftoi as një penallti e dhuruar për verilindorët. Për fatin e Gjokës, që në këtë rast nuk është i mirë, më parë nuk ishte e lehtë të kërkohej një “pse”, për këtë modifikim të kalendarit, megjithëse e kishte ndjerë që futbollistëve të tij po u rëndoheshin këmbët.
Safet Gjici po jeton një periudhë dashurie me FSHF-në dhe tani i duket, se çdo vendim i institucionit dhe aksesorëve të tij (duke përfshirë edhe penalltitë e vërshëllyera në favor, ndeshje pas ndeshje), janë të drejta. Presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi, tha publikisht se kjo ngjeshje e kalendarit, sikur jemi pjesë e kampionatit norvegjez, po i vret futbollistët, por atij, drejtuesit e Federatës tashmë ia kanë hequr vijën. Sulejman Starova i thirri të gjithë kolegët e tij që të protestonin për këtë vendim absurd, por edhe Partizani nuk është më në listën e të preferuarve të drejtuesve. Ndërsa kuksianët kanë zgjedhur të heshtin për hir të këtij “love story” të presidentit, ndërsa futbollistët duhet të fitojnë nën presionin e vazhdueshëm të tij dhe me gjunjët që nuk po u përgjigjen.