Katrioti e kthen “mortin” në “dasmë, nga mbijetesa kalon në pretendimet për Europë!

Fjala ishte për sfidë mbijetese, por për vendasit kishte kuptim të dyfishtë. Kastrioti mund të luante edhe për Europën ndaj Egnatias dhe kështu ndodhi pas fitores me përmbysje 2-1. Skuadra krutane, që shënoi 3 minuta para fundit të kohës së rregullt, u ngjit në kuotën e 43 pikëve duke qenë vetëm tri pikë larg vendit të tretë që mbahet nga Partizani, dhe që të kualifikon për në Ligën e Konferencës. Gjithsesi, nëse do të kishte humbur, ekipi i trajnerit Çela do të kishte rrezikuar të zbriste në zonën e plej autit, pasi Egnatia do të ishte afruar në vetëm tri pikë. U duk se kështu po ndodhte pasi rrogozhinasit shënuan të parët pas një ore lojë me anë të Pedro Augustos.

Miqve u bënte punë vetëm fitorja dhe këmbëngulën për ta marrë, por vendasit reaguan shpejt, duke iu afruar menjëherë barazimit e duke e arritur pak më vonë. Shumëkush pyet se nga vjen ky entuziazëm dhe ky besim i Kastriotit, një ekipi që u duk i dënuar për të zbritur nga kategoria në fund të gjysmës së sezonit?  Gjëra të brendshme, por duket se krutanët kanë bërë lëvizjet e duhura duke nisur me trajnerin Çela. Egnatia ndërkaq duket e dënuar për të luajtur në plej aut me një ekip të Kategorisë së Parë. Rrezikon, por ende ka shpresë për të qendruar në Superligë, ndërsa para ndeshjes pretendoi të mos luante fare sepse akuzoi lojtarë vendas se sulmuan sulmuesin Augusto, autorin e golit.

Sfidanti.al