Zhvendosja nuk ka lidhje me sfidat e afërta, por për ato që vijnë pak më vonë. Abisnet Superliga do t’i luajë nesër e pasnesër ndeshjet e javës së 11-të të këtij sezoni, por më pas do të ketë pushim. Federata Shqiptare e Futbollit vendosi nëpërmjet Komitetit Ekzekutiv që të shtyjë duelet e javës së 12-të të kampionatit që parashikoheshin të luhjeshin në 6 e 7 nëntor, pra në fundjavë. Shkak për këtë shtyrje është miqësorja që kombëtarja do të ketë në 9 nëntor ndaj Katarit në Marbejë të Spanjës.
Kjo sepse trajneri Edi Reja pritet të thërrasë sërish mjaft lojtarë nga kampionati, dhe kjo mund të ndikojë tek skuadrat e Kategorisë Superiore. Gjithsesi, kjo shtyrje nuk u bë kur ekipi përfaqësues luajti miqësoren në Abu Dabi ndaj Arabisë Saudite në 26 tetor, dhe kur u luajt ndeshjet në 29 dhe 30 të po atij muaji. Xhiroja e 12-të, sipas vendimit të Federatës, parashikohet të luhet me një javë vonesë, në 12 e 13 nëntor. Kombëtarja, ndërkaq, ka në plan tri miqësore këtë muaj. Në 9 nëntor do të luhet në Spanjë ndaj Katarit, në 16 kuqezinjtë presin Italinë në “Arenën Air Albania” dhe tri ditë më vonë Armeninë në të njëjtin stadium.
Sfidanti.al