Pak minuta i mjaftojnë Brojës për konkurrim për golin e muajit!

Ende mund të cilësohet lojtar periferik, por momentin e ka të shkëlqyer. Armando Broja ka ditur të tregojë cilësitë e tij më të mira, qoftë edhe herë pas here, siç ka bërë me kombëtaren e Shqipërisë, me Sauthemptonin, por edhe me Çelsin. Këtë sezon, përkundër aktivizimit të paktë, sulmuesi kuqezi shfaqi gjithë talentin në golin e tij të parë në Premier Ligë për Blutë e Londrës. Ai realizoi me aftësi individuale për 3-0 ndaj Uolvesit në “Stemford Brixh”, edhe pse luajti si zëvendësues. Klubi londinez e përzgjodhi këtë rrjetë në mes të atyre që cilësohen si më të bukurat e tetorit dhe që do të votohen nga tifozët për të zgjedhur golin numër 1 të muajit.

Bashkë me realizimin e 21-vjeçarit shqiptar u përzgjodhën edhe gola të shënuar nga Gallaher, Maunt, Haverc, apo edhe nga lojtaret e ekipit të femrave. Sa për Brojën, shpresa është që ai të luajë gjithnjë e më shumë këtë edicion, në një ekip ku konkurrenca është e madhe bashkë me Obamejangun apo Stërlingun, dhe ku shpresohet të merret ylli i Napolit, Viktor Osimhen. Nëse do të vijë puna tek transferimi, Çelsi do të kërkojë 35 milionë euro për kartonin e shqiptarit.

Sfidanti.al