Partizani dhe Skënderbeu janë ndëshkuar për të luajtur pa tifozë, nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit. Komisioni i Disiplinës vendosi të dënojë skuadrën kryeqytetase për të luajtur 4 ndeshje pa tifozë në fushën e saj, ndërsa për korçarët masa e marrë ishte për 3 takime.
Kjo, pasi Disiplina studioi pamjet filmike, mori në shqyrtim raportet e të deleguarit të saj dhe të gjyqtarit, si dhe dëgjoi pretendimet e klubeve.
Vendimi u mor për shkak se tifozët shkatërruan qindra stola gjatë ndeshjes që u luajt në “Elbasan Arena”, si dhe hodhën flakadanë në pistë. Komisioni ngarkoi të dy klubet për të paguar dëmet e shkaktuara në stadium.
Përsa i përket përleshjes me policinë, Disiplina nuk mori asnjë masë, pasi pamjet filmike e bindën se faji nuk ishte i tifozëve, por i forcave të rendit, që ndërhynë pa shkak ndaj tifozëve të Partizanit.
Përballja në Elbasan përfundoi 0-0, por u ndërpre për 13 minuta për shkak të tensionimit të situatës në stadium, dhe gjendjes së rëndë shëndetësore të disa tifozëve dhe të lojtarit të Skënderbeut, Kristi Vangjeli.
B. Kuka