Kristiano Ronaldo, pas një ndeshjeje të shkëlqyer ndaj Alaveshit në Primerën spanjolle dhe tregolëshit të shënuar, në ndeshjen e Ligës së Kampioneve me Legian e Varshavës (3-3), u kthye te forma e tij e keqe që e “ka zbukuruar” atë, gjatë muajve të fundit. Asgjë nuk shkoi mirë për Ronaldon në atë ndeshje, ai gjuajti, disa herë, jashtë portës dhe gaboi në pasime që është edhe një nga arsyet se përse Reali në këtë ndeshje me një ekip kundërshtar, jo shumë dinjitoz për të, mezi mori një pikë.
Sidoqoftë, ashtu si edhe në ndeshjen e lartpërmendur në La Liga, ai tregoi anën e tij njerëzore, gjë që, në fakt, ai e përsëriti edhe në Varshavë para ndeshjes, kur u takua me djalin, të cilin e shpëtoi nga koma, ku ai kishte rënë, por, në fushë, u pa një Ronaldo tjetër, një “fytyrë” tjetër e tij, të cilën, kohët e fundit, ai po tregon shpesh, sidomos, kur atij nuk i ecën në fushë, dhe, kështu, ai nxehet, menjëherë, me futbollistet e ekipit të tij, ndërsa futbollistët kundërshtarë i “qeras” me veprime të ulta. Kështu, ai bëri edhe në ndeshjen kundër Legias, kur shkeli me këmbë një mbrojtës të Legias, ndërsa ai ishte i shtrirë në fushë. Portieri i ekipit kampion polak e pa të gjithë skenën dhe protestoi me forcë te gjyqtari, por “ylli” u Realit e kaloi situatën pa u ndëshkuar.