Nga “ferri” në “parajsë”. Kështu mund të përkufizohet ndeshja e Flamurtarit në Gjirokastër ndaj Luftëtarit, në të cilën ishte në humbje 0-1 në pjesën e parë, por përmbysi rezultatin në 2-1 pas pushimit. Ky sukses bëri që të afrohej në vetëm 1 pikë largësi me Laçin, duke i dhënë vetes shpresa jo të vogla për të mbijetuar në Superligë edhe pas këtij sezoni.
Devi Bregu, një vlonjat, kaloi në epërsi gjirokastritët që luajtën më mirë në pjesën e parë, ndonëse Donjet Shkodra goditi shtyllën që në fillim për miqtë nga Vlora. Pas pushimit, loja vazhdoi e ashpër dhe Donjet Shkodra barazoi rezultatin në 70’.
Më tej, pati raste në të dyja portat, veçse gol tjetër shënoi vetëm Flamurtari i trajnerit Shpëtim Duro. Kapiteni Bruno Telushi nuk gaboi gjuajtjen e penalltisë së akorduar në 88’ nga gjyqtari Enea Jorgji. Ky sukses bëri që Flamurtari të ketë tani 28 pikë, ndaj 29 të Laçit, kurse Tirana e Teuta kanë nga 32. Pra, janë katër ekipe në garë për t’i shpëtuar vendit të parafundit që të zbret në Kategorinë e Parë.
Sfidanti.al