Të kesh përballë Tiranën, e cila vinte në stadiumin “Flamurtari” në momentin më të mirë të edicionit, aq sa është cilësuar një skuadër e rilindur, e aftë për të synuar titullin e 25-të kampion dhe të hedhësh në fushë një ekip të mbushur me sulmues, kjo është vërtetë e ekzagjeruar. Trajneri Mezani nuk ishte kursyer fare në takimin e mbrëmshëm dhe që nga minuta e parë do të gjeje njëherësh si titullarë, Alvesh, Bushiç, Shehajn, apo edhe Galiç. Ndërsa pas tyre edhe Donjet Shkodra, i cili i afrohet gjithmonë portave kundërshtare, madje edhe dje, ishte goli i tij që e mposhti Tiranën.
Por kjo nuk ishte aventurë, thjeshtë tekniku vlonjat ishte i detyruar të dërgonte përballë skuadrës së Josës një skuadër emergjente, duke pasur parasysh që Flamurtari i tij e ka shumë të limituar organikën e stolit. Ndaj bardhebluve mungonte edhe Telushi e Zeqiri, kështu që një pjesë e futbollistëve u përshtatën në role jo natyrale, por për ta arritur këtë, u deshën të paktën 30 minuta, një periudhë, kur një pjesë e njerëzve të fushës nuk e dinin fare se ku ndodheshin. Sidoqoftë, në fund fituan sulmuesit e shumtë të Vlorës, për ta mbyllur me presidentin Sinan Idrizi, i cili përpara se të fikeshin përfundimisht dritat e stadiumit, shënoi një tjetër gol në portën e Federatës.