Flamuri i Tiranës në derbi përfundon në faqet e “La Gazeta delo Sportit”!

Nuk kishte lidhje me ndeshjen, por momenti ishte pikant. Konflikti në fund të derbit të kryeqytetit jo vetëm që krijoi tensione në fushën e “Arenës Air Albania”, por edhe bëri xhiron e kontinentit. Mediat italiane dhe ato europiane në përgjithësi reaguan pasi Albano Aleksi i Tiranës mori një flamur bardheblu nga tifozët dhe e vendosi në qendër të fushës, ndërsa tiranasit fituan 2-0 me Partizanin. Ky u cilësua provokim nga lojtarët e kuq të cilët reaguan, por për fat konflikti nuk mori përmasa të mëdha. “La Gazeta delo Sport” i bëri jehonë derbi të futbollit shqiptar, duke botuar reagimin e një tjetër medieje të quajtur “derbi-derbi-derbi”. Mediat theksuan se sherri ndodhi pasi Tirana nguli flamurin në qendër të fushës ndërsa fitoi ndaj rivalëve të mëdhenj.

Kjo histori ngjan pak me atë që ndodhi në Beograd, ku në qiell mbi stadiumin e “Partizanit” fluturoi droni me një hartë që quhet e Shqipërisë Etnike, duke shkaktuar jo vetëm përplasje të lojtarëve të Shqipërisë dhe Serbisë, por edhe reagimin e tifozëve, sidomos të atyre ultras. Gjithsesi, derbi mes Tiranës dhe Partizanit tradicionalisht nuk ka qenë edhe aq paqësor. Janë të shpeshta rastet e përplasjes së tifozëve, të hedhjes së flakadanëve në fushë, të ndërprerjeve, madje edhe të goditjeve fizike ku janë dëmtuar edhe drejtues të klubeve.

Sfidanti.al