Fitues në futboll (ende) nuk të bën meritokracia, por “Partia”

Një tjetër skuadër po detyrohet që të mos e arrijë objektivin që normalisht meritonte që ta arrinte. Partizanit iu bë e qartë edhe mbrëmë në Vlorë se në Shqipëri nuk fiton kush është më i miri, por kush ka më shumë mbështetje. Ju bë e qartë ashtu si Flamurtarit në 2011, Kukësit apo Teutës gjithashtu vitet e fundit. Në një vend ku komandon “Partia”, ku gjithçka e di “Partia”, ku “Partia” dhe “Udhëheqësi” vazhdojnë të jenë të pagabueshëm dhe ku opinioni publik mund të shumëzohet me zero, meritokracia nuk bëhet fjalë për të zënë rrënjë. Ashtu edhe punësimi i njerëzve, kur mund të vish me diplomë të shkëlqyer nga Amerika apo Gjermania dhe të dish edhe 7 gjuhë të huaja, por sërish të mos hash dot as bukë.

Natyrisht, do të ishte e gabuar nëse do ta përqëndronim objektivin vetëm në një “vend të ngushtë”, pra në fare pak vite. Gjithkush e di sesa fuqi kishin Partizani e Dinamo para 1990-ës, siç thotë Sokol Morina, “presidentet e tyre ishin ministra me Benz, presidenti i Tiranës ishte kryetar bashkie me makinë Vollga”. Po kështu, logjika është e thjeshtë për të kuptuar sesi e bënte ligjin Tirana e viteve 30-të në krahasim me Vllazninë apo Skënderbeun, apo vetë Tirana e viteve 90-të, kur në stadium dëgjohej thirrja “Tirona heroike, me Partinë Demokratike”.

Në 1973, kur u “zbukua” “grupi armiqësor” në art dhe kulturë dhe Todi Lubonja u shkarkua si drejtor i Radio Televizionit Shqiptar, Enver Hoxha u shpreh “më mirë vendosim Thanasin (Nano), pasi edhe po të mos jetë aq i zoti sa Todi në profesion, është i besueshëm ideologjikisht dhe politikisht”. Kështu zgjidhen ende fituesit dhe humbësit në çdo fushë. Gjithsesi, ka një shprehje që thotë se “njeriu është një kafshë që di të përshtatet”. Presidenti i Partizanit do të dijë të përshtatet pasi ndryshe nuk do të fitojë kurrë, dhe e sigurt është se shumë shpejt tifozët e kuq do ta festojnë më në fund titullin e 16-të në histori.

Sfidanti.al