Luftëtari ka përfituar nga gabime te skuadrave që kishte më sipër në klasifikim për të zaptuar vendin e katërt në renditjen e Superiores, një objektiv që pakkush e mendonte të arritshëm në fillim të këtij sezoni. Skuadra e drejtuar nga Milinkoviç ka mundur 2-0 Korabin për të marrë tri pikët në një ndeshje që u vendos në 15 minutat e para të pjesës së dytë të duelit.
Pas 45 minutave të para të ekuilibruara, ku të dy ekipet prodhuan raste, por me një lojë nën nivelin e pritshëm, pjesa e dytë filloi me shkëndija. Hoxhaj fitoi një penallti dhe mori përsipër të ekzekutonte vetë, por Ruçi e hipnotizoi në gjuajtjen nga pika e bardhë duke grushtuar goditjen e sulmuesit të talentuar.
Ky gabim u ndëshkua menjëherë nga vendasit me anë të të zakonshmit Bregu i cili shfrytëzoi një asist perfekt të Rrocës për të çuar topin në rrjetën e Vujadinoviç. Pak minuta më vonë, ndeshja u mbyll plotësisht me Abazajn, i cili shfrytëzoi pavëmendjen e radhës të prapavijës së Korabit për të dyfishuar avantazhin e skuadrës së tij. Ndërkaq, Jemini largoi me karton të kuq Ramadanin nga njëra anë dhe Zefin nga ana tjetër, për të lënë skuadrat me 10 lojtarë.
Kjo bëri që ritmi i lojës të binte dhe pavarësisht disa tentativave të dëshpëruara të Korabit për të rihapur ndeshjen, rezultati nuk ndryshoi dhe Luftëtari mori tri pikët që i nevojiteshin për të marrë fitoren që tashmë e ngjit mes ekipeve që pretendojnë për Europën.