Dihej që mund të ndodhte, si do ta përballojë Tirana humbjen me Teutën?!

Diferencat në Superligën shqiptare nuk janë aspak të mëdha, dhe kjo vlen edhe kur në fushë zbret kryesuesja. Dueli i dy prej ekipeve më të mirë të kampionatit në stadiumin “Niko Dovana” përfundoi 1-0 për Teutën vendase, ndërsa epërsia në pikë e Tiranës me Kukësin zbriti në 6 pikë. Dy ekipet u ndanë nga një gol i vetëm i veteranit Emiliano Vila që në minutën e 26-të, ndërsa rastet ishin të shumtë në të dyja portat.

Teuta u tregua më kërkuese, dhe sidomos ishte më lart në pjesën e parë, me tiranasit e trajnerit Egbo që u zgjuan vetëm nga fundi i 45-minutëshit. Pas pushimit, kryeqytetasit bënë më shumë, por jo me ndonjë diferencë të madhe. Egbo, i pyetur pas ndeshjes u shpreh se “jam shumë i qetë, pasi këto janë gjëra që ndodhin”. “E prisnim që mund të humbisnim, humbja mund të vinte një ditë, por do të vazhdojmë rrugën tonë”, – vazhdoi nigeriani.

Kjo do të thotë se Kukësi ka diferencë -6 me Tiranën, duke pasur më shumë shpresë për titullin kampion. Kuksianët e trajnerit Shehi fituan 4-1 ndeshjen e lehtë ndaj Flamurtarit, ku Abazi shënoi bukur, dhe Shkurtaj realizoi 3 gola. Në dy ndeshjet e tjera pati barazime, 1-1 mes Skënderbeut e Laçit, ku Krasniqi shpëtoi vendasit në fund, dhe 2-2 në Shkodër mes Vllaznisë e Bylisit, ku pati përmbysje rezultati.

Java 29: Teuta-Tirana 1-0, Kukësi-Flamurtari 4-1, Skënderbeu-Laçi 1-1, Vllaznia-Bylis 2-2. Të dielën: Partizani-Luftëtari 8-1. Renditja: Tirana 59 pikë, Kukësi 53.

Sfidanti.al