Dhuratë e Vllaznisë për Skënderbeun, a u luajt drejt në Shkodër?

Një gabim i mbrojtjes nuk mund të mjaftojë që ta quash jo të ndershme një ndeshje futbolli. Të tilla gafa, si ajo e mbrojtjes së Vllaznisë ndaj Skënderbeut, nuk është se nuk i sheh në takime të tjera apo në kampionate të tjera, por gjithsesi dyshimi mbetet. Gjithsesi, mbetet edhe rezultati, pra fitorja 1-0 e skuadrës kampione që tashmë ka dalë në vendin e parë të Superligës (të paktën përkohësisht), me 47 pikë ndaj 46 të Kukësit që luan nesër në fushën e tij ndaj Partizanit.

Ishte minuta e 68-të kur mbrojtësit shkodranë gabuan me kontrollin e topit dhe Liridon Latifi përfitoi duke e dërguar topin në rrjetë. Kaq mjaftoi në një ndeshje të dobët, kur as fituesit dhe as humbësit nuk kënaqën, me shumë pak raste për shënim dhe shumë pak aksione me më shumë se dy-tre pasime.

Minusi tjetër i madh i kësaj ndeshjeje ishte mungesa e publikut shkodran. Tifozët ndoshta më të zjarrtë në Shqipëri, nuk e quajtën të arsyeshme të shpenzonin dy orë kohë në stadiumin modern “Loro Boriçi”, ndoshta duke e parashikuar sesi do të ishte fundi.

Ditën e sotme në Superligë u luajtën edhe dy ndeshje të tjera. Në Gjirokastër, Laçi mori pikë ndaj Luftëtarit vendas, në barazimin 1-1, ku fillimisht kaluan në epërsi vendasit me penalltinë e kthyer në gol nga Bregu, ndërsa në pjesën e dytë barazoi  me anë të Jonuzit, pasi kishte goditur shtyllën me Lulajn. Në Durrës, Teuta u mjaftua me një gol për të marrë tri pikë. Shënoi Ribaj me penallti dhe durrsakët mundën Korabin e Peshkopisë, duke u shkëputur disi nga zona që të zbret nga kategoria. Teuta ka 26 pikë, ndaj 22 të Laçit, 20 të Flamurtarit dhe 11 të Korabit.

Sfidanti.al