Derbi i Kupës del 1-1, Dinamo e Partizani vendosin për Europën në 6 shkurt!

Nuk pati fitues në Arenë dhe kualifikimi u la për sfidën e kthimit. Përfundoi në barazim 1-1 derbi i Kupës së Shqipërisë mes Dinamos e Partizanit, me të dy golat të shënuar në pjesën e parë. Tedi Cara kaloi në epërsi të kuqtë në minutën e 24-ët, ndërsa blutë arritën të reagonin para pushimit duke fituar 11-metërsh me Bardhin, që u kthye në gol nga sulmuesi Agim Ibraimi. Gjithsesi, barazimi nuk tregoi me besnikëri atë që ndodhi në fushën e lojës. Partizani këmbënguli më shumë gjatë 90 minutave dhe pati më shumë raste për të shënuar. Gjithsesi, edhe me trajnerin Dritan Mehmeti, po shihet po ajo dobësi që ishte gjatë drejtimit të Ilir Dajës, shpërdorimi i mundësive për shënim, pra pasaktësia para portës kundërshtare.

Në pjesën e dytë, të kuqtë patën të paktën katër momente për gol, por i humbën që të gjitha. Kjo do të thotë se gjithçka mund të ndodhë në ndeshjen e dytë çerekfinale që duhet të luhet në 9 shkurt. Kupa është tepër e rëndësishme për dy ekipet kryeqytetase që e shohin si mundësinë e vetme për t’u kualifikuar për në Europë sezonin e ardhshëm. Në çerekfinalen tjetër të luajtur më herët, Teuta fitoi 1-0 në fushën e Skënderbeut me golin e shënuar nga Hebaj. Çerekfinalet e Kupës: Dinamo-Partizani 1-1, Skënderbeu-Teuta 0-1, Flamurtari-Vllaznia 1-2, Egnatia-Laçi 1-1.

Sfidanti.al