Dashuria italiane vazhdon, Sormani kthehet tek Partizani, fillon punën për titullin!

Ndoshta i duket sikur ka ndodhur dje. Adolfo Sormani është një rikthim tek Partizani, me italianin që nisi punën në krye të skuadrës tre vjet e gjysmë pas përvojës së shkurtër në stolin e kuq. Trajneri 54-vjeçar drejtoi seancën e parë stërvitore në kompleksin “Internacional” në Pezë Helmës, pak orë pasi firmosi kontratën 2.5-vjeçare me presidentin Gazmend Demi. Cili është objektivi i Sormanit me këtë Partizan?

“Objektivi është që të dalësh kampion, – u shpreh ai, – Nuk mund të fshihemi. Objektivi është ta marrësh sërish titullin, por ka edhe një synim tjetër që të ngjitesh në nivele europiane, në mënyrë që klubi të ketë prestigjin në nivel kontinental. Kjo, duke luajtur një futboll sa më shumë dinamik, agresiv, një futboll që të na bëjë konkurrues edhe në nivele të tilla”.

Italiani mendon se ka disa pluse në këtë detyrë. “Është e qartë që kur nis punën në mes të një sezoni, ky nuk është maksimumi, nuk është situata ideale, sidomos kur kërkon të luash një futboll të organizuar dhe me ide të qarta, – pranon Sormani, – Gjithsesi, e vërteta është që unë njoh shumë nga lojtarët që janë këtu. Ata e dinë se çfarë do të presin nga unë, dhe unë e di se ç’mund të pres prej tyre. Njoh mentalitetin, ndaj besoj se e kam një avantazh sepse njoh edhe ambientin e Partizanit, nuk jam një i huaj. Kam pasur mundësi të punoj dhe të krijoj raporte shumë të mira me të gjthë”.

Hera e parë në Shqipëri nuk përfundoi me sukses. “Nuk është e vërtetë që nuk përfundoi mirë, – kundërshtoi ai, por pastaj pranoi, – Mendoj se pas ndeshjeve në Europë, u krijua ideja nga të dyja palët se nuk ishin kushtet e duhura për të vazhduar, por besoj se e pata vlerësimin sidomos të presidentit, dhe dëshirën për të ndërtuar një projekt të madh. Pra, jo vetëm për të dalë kampion në Shqipëri, ndonëse është diçka shumë e rëndësishme, por edhe që të bëhemi një klub qendror, tërheqës në të gjithë Ballkanin, për akademinë, për sektorin e të rinjve. Një projekt që nuk e kanë të gjithë presidentët. Vetë fakti që presidenti po përfundon qendrën sportive tregon sesa seriozisht e ka ai investimin tek Partizani, diçka që nuk e ka çdo president dhe jo vetëm në Shqipëri”.

Trajneri i ri do të ketë të drejtë të përforcojë skuadrën, ndonëseë nuk e vendos theksin aty. “Klubi është dakord që unë të bëj përforcime, por dua të theksoj se në futboll problemet nuk i zgjidh një individ, sado i rëndësishëm që të jetë, – ishte arsyetimi i trajnerit, – Nëse ne nuk luajmë si skuadër, nëse nuk do të jemi të bashkuar, me mentalitet të përbashkët, nuk mund të kemi sukses. Unë mendoj se gjëja më e rëndësishme është të rifitojmë mentalitetin e skuadrës”.

Sfidanti.al