Ç’ndodhi me Partizanin? Kryengritje apo diçka edhe më e rëndë?

Nuk duam të jemi “politikisht korrektë”, pasi kjo është shenjë e nënshtrimit dhe e frikës. Për këtë arsye, pyetja është e drejtpërdrejtë, pra çfarë ndodhi me Partizanin në Lezhë? Ishte një kryengritje ndaj trajnerit Sormani apo ndonjë drejtuesi, apo ndonjë gjë edhe më e rëndë, që mund të quhet manipulim ndeshjeje? Koha do ta tregojë, ose ndoshta nuk do të merret vesh kurrë, por rezultati 3-0 për Besëlidhjen ndaj kampionëve flet më shumë sesa fjalët.

Natyrisht, shpesh ekipe të vegjël kanë shkatërruar skuadra të mëdha, të papritura të jashtëzakonshme kanë ndodhur në Kupën e Anglisë apo të Gjermanisë, pse jo edhe në kupat e Europës. Njerëzit nuk e kujtojnë kur Bajerni i madh i Bekenbauerit, Majerit dhe Mylerit u shkatërrua 6-1 në Bundesligë nga Kikers Ofenbahu modest i trajnerit të ri Oto Rehagel, por gjithsesi kjo e Lezhës ishte një kulm.

Partizani kishte humbur 5 nga 6 ndeshjet e fundit në kampionat, dhe dëmi i shkaktuar që në verë duket se nuk po mundet të rregullohet me ardhjen e Sormanit. Futbolli të bën që t’i paguash gabimet (flasim gjithnjë nëse humbja e Partizanit është e vërtetë), dhe nga kampion të nxjerr në vendet e fundit, apo të eleminon. Partizani ka edhe një shans në ndeshjen e kthimit, ndonëse gjithçka duket e vështirë.

Sfidanti.al