Në futbollin e sotëm, loja e spiunëve, të atyre që futen pa leje mu në zemër të lojës së armikut, shpesh, duket si një lojë edhe më e bukur sesa ajo që shohim në fushë. Madje, në ditët e sotme, dëgjohet jo rrallë, se cilësia e spiunimit të “armikut” varet shumë edhe nga stërhollimi i taktikës. Një ditë të bukur, kur një nga trajnerët më të mirë në Botë, Pep Guardiola, ka thënë se së shpejti do të “varë” këpucët si trajner, dikush pat thënë: “ Pep ishte qershia mbi tortë në lojën e Barcelonës, një lojë që mrekulloi botën me elegancën dhe gjeometrinë, por, kjo filozofi, shumë shpejt, u bë e njohur për të gjithë, nuk ka më sekrete, ndaj edhe ai po vuan me Sitin”. Qoftë një gjykim i gabuar, ngaqë Guardiola është një fanatik i bukur i lojës sulmuese, aq i betuar në këtë mënyrë jetese të rrallë për trajnerët, sa ekipi i tij Siti pëson edhe 4 gola vetëm ngaqë nuk di të “arratiset” nga stili mbrojtës.
Po futbolli ynë, i thjeshtë, i depërtueshëm dhe pa kode, dera e të cilit mund të hapet edhe me çelës kopil, a meriton të ketë spiunë nëpër këmbë? Nuk dihet se deri ku shkon e vërteta. Flitet se atje ku ka futboll të vogël, ka spiunazh të madh,ose kështu ta do qejfi. Tamam sikur të thuash se nga ferra e vogël del lepuri i madh. Një rast i bujshëm “spiunimi” në futbollin tonë ka ndodhur gjatë Europianit, mu në gjirin e ekipit kuqezi, tamam në ditët që spiunët e futbollit të futeshin edhe poshtë jorganit. Edhe Shqipëria, si ekipet e mëdha, kishte sekretet e veta në Francë dhe “kasafortën e lojës” e ruanin më shumë natën sesa ditën. Dhe për këtë u shpërblyem, kur një zonjë austriake që ishte punësuar për Kombëtaren tonë, për të cilën njëherë thonin se ishte psikologe, njëherë fizioterapiste, në fakt, zyrtarët tanë ia gjetën emrin kur e larguan si ..informatore.
Pas ngjarjes, disa besuan se në Europian do të kishim ecur edhe më shumë, nëse ajo nuk do të kish vënë dorë dhe ..sy në skemat e De Biazit. Këto ditët e fundit, si për të vërtetuar thënien, se në futbollin e vogël ka spiunë të mëdhenj, ka një rast pikant spiunimi edhe në stërvitjen e Partizanit në Pezë. Në tribunën modeste paska qënë edhe një misionar nga Luftëtari, kundërshtari i ardhshëm i Partizanit në kampionat, i maskur si tifoz kureshtar. Kur fjala ka shkuar tek Starova se stërvitja po spiunohet, ka nisur menjëherë pastrami i çimkave nga shkallët e tribunës. Dikush, i habitur nga sjellja e gjirokastritëve në prag të ndeshjes, ka lëshuar këto fjalë: “ Kjo është lojë e spiunazhit serb ngaqë trajneri i tyre është serbi Milinkoviç“.
Sfidanti.al