Quhen profesionistë, paguhen shumë dhe u thuhet gjithnjë se duhet të jenë shembujt për brezin e ri. Ajo që bëri Miralem Pjaniç ditën e djeshme në stadiumin “Juventus” nuk mund të shërbejë aspak si një shembull për fëmijët apo të rinjtë. Mesfushori nga Bosnja u fotografua duke festuar fitoren e Juventusit të tij ndaj Lacios, ndërsa kishte shkelur fanelën e kundërshtarit. Nuk është e qartë nëse Pjaniç e ka bërë me dashje apo pa dashje këtë veprim, ndërsa besohet se ajo fanelë duhet të jetë dhënë nga ndonjë lojtar lacial, në formë shkëmbimi në fund të takimit. Kështu, të paktën, janë supozimet.
Gjithsesi, veprimi i boshnjakut ka krijuar polemika të ashpra dhe të kuptueshme në rrjetet sociale, pasi tifozët e Lacios kanë reaguar. Me shumë gjasa, futbollisti mund të dënohet për veprim antisportiv nëse vërtetohet si i qëllimshëm. Dyshimet janë që Pjaniç e ka bërë këtë gjest si ish-lojtar i Romës, pra i ekipit kundërshtar të Lacios brenda kryeqytetit. Verën e kaluar, ai i prishi marrëdhëniet me tifozët e Romës pikërisht për shkak të kalimit tek Juventusi.