Kur mëson për këto rezultate, padyshim që habitesh. Si mundet që të shënohen 14 gola në dy ndeshje në një kampionat si Superliga shqiptare, ku golat janë përgjithësisht me pikatore, përveçse kur të dyja palët mobilizohen për të nxjerë një fitues të Këpucës së Artë? Pa dashur të paragjykojmë ose anasjelltas, le të paraqesim realitetin që u pa në fushat e lojës në “Selman Stërmasi” dhe në Kurbin, ku u shënuan përkatësisht 6 rrjeta në duelin Tirana-Skënderbeut, dhe 8 të tjera në sfidën Laçi-Vllaznia. Kryeqytetasit dhe shkodranët e nisën me këmbën e duhur sezonin e ri, të paktën në javën e parë.
Tiranasit e trajnerit Orges Shehi, që priteshin të ishin kandidatë për trofe, u treguan një ekip pavarësisht nga ndryshimet e shumta në organikë. Me lojtarë si Ismajlgecin, Hoxhallarin, Toshevskin, Limajn, Xhixhën, Seferin dhe Ngonë e rikthyer, bardheblutë ishin shumë të fortë për korçarët, shumë më modestë nga ana cilësore. Ngo shënoi dy gola, ndërsa nga një Behiraçe dhe Limaj. Skënderbeu i trajnerit Memelli tregoi krenarinë duke barazuar përkohësisht, por më pas u hodh nokaut dhe shpëtoi nderin falë gabimit të portierit Ilion Lika, veterani rekordmen i Superligës në moshën 41-vjeçare.
Në Kurbin ndërkaq, Vllaznia i dha fund mallkimit 7-vjeçar duke fituar më në fund ndaj Laçit. Të besuarit e trajnerit Tomas Brdariç duhet thënë se e merituan për shkak se ishin thuajse gjatë gjithë kohës në epërsi. Kryesuan deri në 2-0, reaguan kur u barazuan 2-2 e 3-3, dhe u mbajtën fort gjatë gjithë pjesës së dytë në fushën e një ekipi të fortë. Kurbinasit ndoshta ende vuajnë largimin e trajnerit Duro të zëvendësuar nga malazezi Dejan Vukiçeviç. Për kuqeblutë realizuan Latifi, Da Silva, Aralica, kapiteni Gurishta dhe Kaina, ndërsa për vendasit, dy herë Zarubica dhe Lushkja.
Sfidanti.al