Do të luhet nesër në “Arenën Air Albania” e ndoshta do të ketë rreth 15-20 000 tifozë, ndonëse deri tani janë shitur 5-6 000 bileta. Shqiptarët gjithsesi i lenë gjërat për në fund, dhe deri mbrëmjen e së shtunës biletat mund të kenë “avulluar”. Luhet Tirana-Partizani, sfida më e madhe e Superligës dhe bardheblutë janë më lart këtë sezon me 2 fitore (1-0, 2-1), si dhe me renditjen duke qenë në vend të parë ndaj vendit të pestë të të kuqve.
Për trajnerin Shehi, në dyshim Ismajlgeci, që mund të luajë në vend të Përgjonit. Majkëll Ngo mungon për shkak dëmtimi. Seferi ndërkaq do të kërkojë golin e parë në derbi ndaj Partizanit. Tirana është në moment shumë të mirë në 2022, me 6 fitore, 1 barazim e vetëm 1 humbje.
Tek Partizani, Murataj kthehet nga pezullimi. Mbrojtësi Hadroj pritet të kthehet në ekip pas mungesës ndaj Kukësit për shkak dëmtimi. Skuka, Cara dhe Mala u zëvendësuan herët ndaj Kukësit, për të qenë më të shlodhur për derbin. Partizani me trajnerin Dritan Mehmeti ka rezultate me luhatje gjatë këtij viti, me 4 fitore, 3 barazime dhe 1 humbje. Ka ndeshje kur Partizani shënon shumë gola, si 5 ndaj Kukësit, 4 kundër Teutës dhe 3 në fushën e Egnatias, por edhe ndeshje me pak ose aspak gola si ndaj Vllaznisë, Dinamos, Kastriotit apo Laçit.
Si bilanc historik, Partizani ka epërsi me 68 fitore e 44 humbje në Superligë. Gjithsesi, në 9 ndeshjet e fundit të kuqtë kanë vetëm 2 fitore dhe 4 humbje.
Sfidanti.al