Fjalët ishin zgjedhur ashtu siç i erdhën në mendje, në nxehtësi e sipër menjëherë pas finales. “Kjo ishte nata më e mirë e jetëve tona profesionale”, – u shpreh Jurgen Klopi pas fitores së Championsit. Më pas, ai bëri një koment interesant duke theksuar se “a keni parë ndonjëherë një skuadër të tillë që luftoi deri në fund, edhe pse nuk i kishte mbetur më karburant?”
Klopi theksoi se ishte krenar për lojtarët e tij që e meritojnë më shumë se kushdo tjetër, veçse ishte pikërisht trajneri që e meritoi më shumë. Nuk ishte aspak gjë e vogël fakti që ai kishte humbur 6 finale radhazi që pas vitit 2012, nga të cilat Championsin dy herë, Ligën e Europës, Superkupën e Gjermanisë, Kupën e Gjermanisë dhe Kupën e Ligës në Angli.
Sidoqoftë, trajneri gjerman ka tashmë 6 trofe në kabinetin e tij, me dy Bundesliga, një Kupë të Gjermanisë, dy Superkupa të Gjermanisë dhe tani me Championsin. Në moshën 51-vjeçare, ka mundësi që t’i shtojë këto suksese arritur me Dortmundin dhe Liverpulin. “Na u desh pak kohë, por fitorja është e rëndësishme për zhvillimin tonë, për t’u përmirësuar edhe më shumë, – tha Klopi, – ne kemi një portier që i bën gjërat e vështira të duken shumë të lehta”.
Trofetë e Klopit: Bundesliga në 2011 dhe në 2012, Kupa e Gjermanisë në 2012, Superkupa e Gjermanisë në 2013 dhe në 2014, Liga e Kampionëve në 2019.
Finalet e humbura të Klopit:
2011, Superkupa e Gjermanisë ndaj Shalkes
2013, Liga e Kampionëve ndaj Bajernit
2015, Kupa e Gjermanisë ndaj Volfsburgut
2016, Kupa e Ligës ndaj Çelsit
2016, Liga e Europës ndaj Seviljes
2018, Liga e Kampionëve ndaj Realit
Sfidanti.al