Mançester Junajtid ia ka dalë ta lerë prapa Mançester Sitin këtë sezon, edhe pse jo në renditjen e Premier Ligës. Skuadra e Zhoze Murinjos është e para në klasifikimin sipas parave të fituara nga e drejta televizive, duke lënë në vend të dytë pikërisht kampionët. Junajtid do të përfitojë nga transmetimi i ndeshjeve direkt, plot 148.9 milionë paund stërlina (rreth 169 milionë euro), ndërsa ekipi i Pep Guardiolës do të marrë diçka më pak, 147.4 milionë paund.
Më pas vijnë Liverpuli (143.9), Totenhemi (143.5), Arsenali (141.1) dhe Çelsi (139.6). Televizionet dhanë drejtpërdrejt 28 ndeshje të Junajtidit këtë sezon të Premier Ligës, po aq sa të Arsenalit, ndërsa për Sitin këto ishin 25. Vlen të theksohet se shpërndarja e parave të të drejtave televizive në Angli është tepër demokratike, krahasuar me Italinë apo Spanjën. Skuadra që merr më pak, Uest Bromi, do të fitojë 95.4 milionë paund stërlina, pra gati sa dy të tretat e asaj që fiton ekipi më i paguar, Mançester Junajtidi.
Sfidanti.al