Joakim Lëv kalon të madhin Helmut Shën, në stolin e Gjermanisë

Aktualisht ai është barazuar me paraardhësin e tij të madh, të paktën përsa i përket viteve në detyrë. Joakim Lëv është trajner i Gjermanisë në 2018, ndërsa e mori këtë post në 2006-ën pas dorëheqjes së Jurgen Klinsmanit. Po kaq vite, 12, ishte në krye të “teutonëve” edhe legjenda Helmut Shën, i cili sidoqoftë arriti të fitonte edhe Botërorin, edhe Europianin (1974, 1972), diçka që Lëv ende nuk e ka bërë (ka fituar vetëm Botërorin).

Gjithsesi, trajneri i tanishëm do ta kalojë Shënin e shquar, pasi ai firmosi një kontratë të re me Federatën Gjermane të Futbollit (DFB), me vlerë deri në 2022. Kjo do të thotë, trajner për 16 vjet, pra i dyti më jetëgjati në stolin e “pancerëve” që nga fillimi i historisë së ekipit kombëtar.

Vetëm i vjetri dhe i respektuari Zep Herberger qendroi më gjatë në krye të “national mannschaft”-it, që nga 1936-ta e deri në 1964, pra plot 28 vjet, veçse kjo epokë përfshin edhe vitet inaktive gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore (1939-1950).

Joakim Lëv do të ketë me kontratë të re edhe ndihmësit e tij si Tomas Shnajder (2022), Andreas Këpke (2022) dhe menaxheri Oliver Birhof (deri në 2024). Ai do të përpiqet të bëhet i pari trajner i Gjermanisë që ta fitojë dy herë Kupën e Botës, diçka që e ka bërë vetëm Vitorio Poco me Italinë.

Sfidanti.al