Në La Liga u ngjit për herë të parë verën e kaluar, dhe padyshim hyri “në majë të gishtave”. Klubi i Futbollit i Gironës kishte 87 vjet që “bubrronte” në ligat e ulëta të Spanjës, por ja që erdhi dita për të qenë edhe ai në skenën e madhe. Sezoni debutues i ka bërë vërtetë krenarë tifozët dhe me të drejtë Girona mund të quhet “mrekullia e re e Spanjës”.
Këtë javë mundi 2-0 në shtëpi Deportivon, me gola të Stuanit dhe Huanpesë, dhe arriti fitoren e gjashtë radhazi në fushën e vet. Reali i madh i Madridit nuk ia ka dalë të rreshtojë 6 fitore radhazi në “Bernabeu” këtë edicion, ndërsa vetëm Barça e Sevilja e kanë bërë në të gjithë Primera Divizionin. Jo vetëm kaq, por në 6 ndeshje Girona nuk ka pësuar asnjë gol, ndërsa ka shënuar 14.
Të mos harrojmë se bëhet fjalë për një klub që ka buxhet më pak se 10 milionë euro, dhe që shpenzon për rrogat e gjithë ekipit vetëm 6.5 milionë euro, shifra këto që tek Reali apo Barça vlejnë vetëm për një lojtar të vetëm. Girona, aktualisht, është në vendin e 7-të në renditje.
Sfidanti.al