Ja Brazili favorit i Botërorit, Nejmar bind dhe eleminon Meksikën!

Të gjithë kanë mësuar të luajnë, por jo si Brazili. Të papriturat kanë qenë të shumta pa nisur ende kjo Kupë e Botës, por duket se të mbiquajturit “magjistarët e topit” këtë herë e kanë mbledhur mendjen të jenë të pathyeshëm. Fitorja 2-0 ndaj Meksikës jo vetëm i kualifikoi për në çerekfinale, por edhe tregoi Brazilin e vërtetë, atë që jo më kot është cilësuar si favorit i çdo Botërori.

Golat u shënuan nga Nejmar e Firmino, por mund të kishin qenë shumë më tepër, dhe kjo nuk ndodhi vetëm për meritë të portierit meksikan, Oçoa, me siguri lojtari më i mirë në fushë. Pesë herë kampionët e botës patën epërsi thuajse të plotë në stadiumin e Samarës, pavarësisht se Meksika u përpoq të mbrohej fort e të rrezikonte me kundërsulm.

Tjetër gjë është të kesh një plan, e tjetër ta realizosh, dhe talenti e përvoja e brazilianëve ishin më shumë sesa mund të përballonte skuadra e trajnerit Ozorio. Kasemiro, Uillian, Kutinjo, Gabriel Zhezus apo Nejmar janë futbollistë që bëjnë diferencën.

Sidomos Nejmar, që luajti ndeshjen më të mirë të tij në turneun rus. Nuk këmbënguli të kishte patjetër topin në këmbë, por lëvizi me zgjuarsi e kombinoi me shokët duke e shfrytëzuar siç duhet talentin e tij të jashtëzakonshëm. Brazili në çerekfinale e Meksika në shtëpi, por të paktën dy ekipet luajtën futboll të vërtetë, ndryshe nga ndeshjet e një dite më parë.

Sfidanti.al