Infantino kërkon heqjen e pezullimit të Rusisë

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka rihapur debatin mbi rikthimin e Rusisë në arenën ndërkombëtare të futbollit, duke kërkuar heqjen e ndalimit katërvjeçar për klubet dhe përfaqësuesen ruse. Sipas tij, masa e vendosur pas pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 nuk ka prodhuar efektin e synuar dhe ka sjellë pasoja të kundërta. Në një intervistë për “Sky Sports”, Infantino u shpreh se pezullimi nuk ka ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit.

“Ky ndalim nuk ka arritur asgjë; thjesht ka krijuar më shumë frustrim dhe urrejtje”, deklaroi ai, duke shtuar se do të ishte pozitive që “vajzat dhe djemtë nga Rusia të jenë në gjendje të luajnë ndeshje futbolli në pjesë të tjera të Evropës”. Kreu i FIFA-s theksoi se futbolli nuk duhet të përdoret si mjet ndëshkimi politik.

Sipas tij, organizata që drejton nuk duhet “të ndalojë kurrë asnjë vend të luajë futboll për shkak të veprimeve të udhëheqësve të tyre politikë”, duke nënvizuar se është e rëndësishme që “lidhjet të mbahen të hapura” edhe në kohë krizash. Këto deklarata kanë shkaktuar reagime të ashpra, veçanërisht në Ukrainë. Ministrja ukrainase e Sportit, Matvii Bidnyi, i cilësoi komentet e Infantinos si “të papërgjegjshme” dhe “infantile”, duke theksuar se ato “e shkëputin futbollin nga realiteti tragjik në të cilin po vriten fëmijë”.

Ndërkohë, presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka mbajtur një qëndrim më të rezervuar, duke deklaruar se lufta në Ukrainë duhet të përfundojë përpara se Rusia të rikthehet në garat evropiane. Infantino komentoi gjithashtu edhe vendimin e FIFA-s për t’i dhënë një çmim për paqe presidentit amerikan Donald Trump gjatë shortit të Kupës së Botës 2026, duke thënë se “çfarëdo që mund të bëjmë për të ndihmuar paqen në botë, do të duhet ta bëjmë”.

sfidanti.al