Me 95 rrjeta për të njëjtin trajner, i përngjau vëllait të teknikut që ka tek Lacio. Çiro Imobile ka kaq gola të shënuar për një trajner të vetëm, për Simone Inzagin, ashtu siç kishte bërë më parë vëllai i Simones, SuperPipo Inzagi për Karlo Ançelotin. Që të dy nga 95 gola. Shënimi nga ana e “Çiros së Madh” (që për italianët është emri i Kirit, mbretit të Persisë) bëri që Lacio të fitonte 2-1 në fushën e Torinos, dhe të mbetej në garë për titull me Juventusin. Imobile barazoi në 48’, dhe Marko Parolo siguroi fitoren në 72’. Që në 5’, Imobile shkaktoi penallti duke prekur topin me dorë e Beloti kaloi vendasit në epërsi, ndërsa për sulmuesin lacial erdhi kartoni i verdhë. Që do të thotë se do të mungojë në ndeshjen ndaj Milanit këtë të shtunë. Kjo është rregullorja, ndonëse arbitri ndoshta u nxitua pak. Pa “Kirin e Madh” do të jetë e vështirë ndaj Milanit, por gjithsesi kthehet Simone Inzagi nga skualifikimi. Lacio ka 68 pikë ndaj 72 të Juventusit.
Sfidanti.al