Një adoleshent me ëndrra të mëdha që nuk pranon të dorëzohet edhe pse ka mësuar se shumë shpejt do t’i nënshtrohet një operacioni të vështirë për amputimin e këmbës së djathtë. Dy vite më parë, tifozi i Manchester United, Jake Last, luante për Burnley U-14 ndërsa njihej për aftësitë e tij dhe mbante nofkën “Macja” por për shkak të një problemi në këmbë që më pas rezultoi të ishte kancer, ai iu nënshtrua një cikli kimioterapie. Pasi ky kurim nuk dha asnjë rezultat, mjekët kanë vendosur t’i presin këmbën për të evituar përhapjen e sëmundjes edhe në pjesë të tjera të trupit. Babai i adoleshentit deklaron se ai nuk do të jetojë asnjë ditë pa futbollin e madje ende pa iu nënshtruar operacionit, ka kërkuar që të bëhet pjesë e skuadrave të të amputuarve ndërsa ëndërron që një ditë të përfaqësojë Kombëtaren e Anglisë. Historia e djaloshit ka prekur edhe lojtarët e Manchester United, ndërsa heroi i finales së FA Cup, Kobbie Mainoo i ka dërguar një mesazh ku e inkurajon për rrugën e vështirë që duhet të përshkojë.