Historia e telekomandës, Roi Kin ka disa fjalë për Runin e Ferdinandin!

Diferenca e moshës nuk ishte aq e madhe, por gjithsesi për një tip si kapiteni i Mançester Junajtidit, bëhej fjalë për diçka serioze. Roi Kin ishte prej 5 vjetësh lideri i “djajve të kuq” të Sër Aleks Fergusonit, kur në ekip mbërriti mbrojtësi Rio Ferdinand, i ardhur nga Lidsi. Dy vjet në vonë, në 2004, erdhi edhe sulmuesi i ri, Uejn Runi nga Evertoni. Pikërisht me këta dy lojtarë, kapiteni krenar irlandez nuk arriti të krijonte një shoqëri, siç kishte pasur me Rajan Gigsin, Dejvid Bekamin, Pol Skoullsin, Niki Batin apo dy vëllezërit Nevil, pa folur për Peter Shmajkelin apo sulmuesit Koul, Jork, Solskjer e Sheringam.

“Ata nuk ishin tipi im, – shprehet Kini, që kurrë nuk e ka “kafshuar gjuhën”, – nuk më shkonte fare muhabeti me Rion apo Uejnin, nuk më pëlqente natyra e tyre, ishte diçka personale. Futbolli po ndryshonte, edhe unë po ndryshoja, por me lojtarët që po vinin vitet e fundit tek Junajtidi, unë nuk shkoja mirë. Nga ana e personalitetit nuk bënin për mua. Kuptohet, ata ishin lojtarë shumë të mirë, dhe unë isha i lumtur që luaja krah tyre, por për t’u ndjerë afër pas loje, për të pirë një kafe me ta? Jo, ta harroni”.

Kini ngacmohet për një moment me Runin, kur thuhet se bënë sherr për telekomandën e televizorit. Irlandezi tregon se rasti ndodhi vërtet, se ai po shikonte një ndeshje regbije, ndërsa Uejni erdhi dhe ndryshoi kanalin sepse donte të shihte “X Faktorin”. Po ashtu, sulmuesi e fshehu telekomandën. “Dua t’iu them se nuk patëm debat, nuk u zumë, – thotë Kini, – dakord, nuk isha i lumtur që më ndryshuan kanalin, por nuk u përplasëm. Të nesërmen, Uejni më pyeti nëse e kisha gjetur telekomandën, ndërsa unë i thashë se ku duhej të shkonte. A mund të quhet ky një sherr?”

Sfidanti.al