Është trajneri i kombëtares dhe ka detyrë të drejtojë ekipin përfaqësues në suksese. Roberto Mançini flet pikërisht në këtë mënyrë kur pyetet sesi mendon për rifillimin e mundshëm të Serisë A. Ish-sulmuesi i Sampdorias, dhe ish-trajneri i Interit e i Mançester Sitit, nuk lëkundet aspak kur jep një mendim negativ. “Jam kundër rifillimit të Serisë A, – u shpreh ai, – kjo sepse mund të sjellë shumë dëmtime për lojtarët, që kanë kohë pa luajtur dhe që do të duhet të provojnë ngarkesë të madhe. Këtë e them nisur nga roli im si trajner i Italisë, pra në mënyrë pak egoiste. Gjithsesi, unë e di se lojtarët e mi mezi po presin që të kthehen në fushë”.
Mançini thotë se dy muaj karantinë i kanë ardhur në majë të hundës, ndërsa Italia ishte vendi i parë europian që e vendosi gjendjen e jashtëzakonshme, duke mbyllur edhe futbollin. Ai thekson se shqetësohet më shumë për shëndetin e prindërve, të cilët nuk ka mundësi t’i shikojë, ndërsa për vete përpiqet të stërvitet në mëngjes, dhe të shfrytëzojë tarracën e shtëpisë kur është kohë e mirë”.
Sfidanti.al