Harroje Liverpulin Xherrard, më në fund e fitove një titull kampion!

Në 2009 dhe 2014 ishte shumë pranë fitores së Premier Ligës, por nuk ia doli. Stiven Xherrard ndoshta është lojtari më i madh i Liverpulit që nuk e ka fituar dot një titull kampion dhe në 2014 ishte vetë fajtor duke rrëshqitur në ndeshjen me Çelsin në “Anfild”, e duke shkaktuar golin që solli humbjen dhe dorëzimin e titullit Mançester Sitit. Më në fund, kjo ëndërr e keqe është lënë pas dhe Xherrari e fitoi titullin e parë, edhe pse jo në Angli, por në Skoci dhe jo si lojtar, por si trajner. Ai u shpall kampion i Premier Ligës skoceze me Gllazgou Rejnxhërsin duke i dhënë fund dominimit 10-vjeçar të Sëlltikut, e duke mbyllur sezonin me fitoren 4-0 ndaj Aberdinit.

Rejnxhërsi është ekipi i dytë në Europë me më shumë gola të shënuar, plot 92, i lënë pas vetëm nga 94 të Bajernit, ndonëse duhet thënë që i ka shënuar këta gola në më shumë ndeshje (38 ndaj 33). Gjithsesi, “policët” e Gllazgout kanë rekordin e pikëve në kontinentin e vjetër me 102 të tilla, ndërsa e kanë mbyllur kampionatin pa asnjë humbje, me 32 fitore e 6 barazime. Rivali i madh, Sëlltiku, këtë edicion nuk u duk aq i madh dhe mbeti 25 pikë prapa.

Sfidanti.al