Olimpija e Ljubljanës, me shumë gjasë, do të jetë kampionia e re e Sllovenisë. Skuadra e kryeqytetit ka lënë pas këtë sezon Mariborin e fortë, ndërsa në radhët e saj po shkëlqen Endri Çekiçi, mesfushori sulmues që shënoi gol në fitoren 7-3 në fushën e Triglavit të Kranjit. Çekiçi realizoi për 2-0 nga një goditje dënimi, ndërsa tri rrjeta i shënoi Ante Vukushiç. Shqiptari nga Pogradeci ka 9 gola këtë sezon, ndërsa kroati Vukushiç ka 18, dhe ata të dy janë shënuesit më të mirë të ekipit. Olimpija ka 62 pikë ndaj 58 të Celjes e Mariborit, kur duhen edhe 5 javë deri në mbyllje të kampionatit.
Në fund të ndeshjes, mediat sllovene floën për një skandal, pasi lojtarët dhe trajneri i Olimpijas nuk u paraqitën për intervistë në kamerat e televizionit TS Slovenia, që transmeton ndeshjet. Në ekran doli vetëm drejtori sportiv, Mladen Rudonja. Ndoshta, ky ishte një reagim pasi një komentator i TV Slovenisë deklaroi në transmetim direkt se Olimpija nuk do ta mbajë dot boshnjakun Luka Menalo, që pritet të shkojë tek Dinamo e Zagrebit, dhe se komenti i trajnerit Milan Mandariç ishte se “kam shumë lojtarë si Menalo”.
Sfidanti.al