Cilën Barçë të besojmë? Kjo e Vijarrealit ishte për Champions!

La Liga me shumë mundësi është e humbur, pasi Realit vështirë se mund t’i fitohen 5 pikë (duhen edhe për ndeshjet direkte). Kanë mbetur edhe vetëm 4 ndeshje deri në përfundim, pra 12 pikë dhe një skuadër me kaq shumë përvojë si Madridi nuk mund të gabojë kaq shumë. Gjithsesi, tifozët e Barcelonës shkuan të flinin të kënaqur mbrëmjen e djeshme. Ekipi i tyre fitoi një nga ndeshjet më të vështira të sezonit, atë në fushën e Vijarrealit, duke luajtur pjesën e parë më të mirë të vitit. Sukses 4-1, ku Mesi nuk shënoi, por ku realizuan Luis Suarez Antuan Grizman dhe Ansu Fati, dhe ku u shkaktua një autogol.

E papritura më e madhe ishte hedhja në fushë e treshes MSG (Mesi-Suarez-Grizman), dhe fakti se francezi luajti në pozicionin e tij natyral si sulmues, jo si lojtar në krah, e po ashtu se të tre kombinuan shumë mirë me njëri-tjetrin. Kike Setien vendosi të bënte një ndryshim dhe i doli për mirë, duke iu përgjigjur ngacmimit të Suarezit pas barazimit në fushën e Seltës (përse duhen trajnerët?). Ja përse duhen trajnerët, dhe Setien hodhi në fushë Grizmanin e gjeti ekuilibrin që kishte frikë se nuk do ta gjente, ndonëse luajti jashtë fushe. Ndonëse fitorja nuk pritet të bëjë punë në kampionat, mbetet Championsi për t’u fituar dhe një Barcelonë e tillë edhe mund t’ia dalë.

Sfidanti.al