Edhe Sport-Radari është mrekulluar: FSHF ..trukohet  si prokuror!

Ka ndryshuar rrënjësisht skema e lojës kur flitet për trukimet e ndeshjeve!  Vite më parë, kur kompania Sport-Radar na spiunonte në UEFA për trafikun e çuditshëm të parave që frymëzonin ndeshjet e shqiptarëve, FSHF i mbronte “fëmijët e saj” edhe pse dukej sheshit që  luanin bixhoz me topin. Por, ç‘hata ndodhi që fill pas turpit që ndodhi në ndeshjen Bylis-Tirana, ishte tamam “prindi”, pra FSHF-ja, që doli publikisht duke tradhëtuar dhe “parimet” e saj lidhur me qëndrimin për ndeshjet e tredhura. Shumë vetë nuk u kanë besuar veshëve kur kanë dëgjuar kërcënimin zyrtar :  kanë nisur hetimet për ndeshjen Bylis-Tirana!

Të lë pa fjalë dhe gati të çmënd shpejtësia e shndërrimit të sjelljes së ekipit zyrtar.  Por, në dynja futbolli, ku rregullat më shumë i caktonim sipas qejfit, pse u dashka të heqim dorë nga zakoni i vjetër? Ka shumë arsye, por njëra është mbi të tjerat : presidenti Duka nuk është vetëm i yni, por edhe i UEFA-s. Madje, ka nga ata që besojnë se shefi, sidomos kur flitet për trukimet, është më shumë i UEFA-s sesa..dora jonë. Dhe po të jetë e vërtetë, të duket si një tradhëti luksi kur mendon se bëmë kurban “Skënderbeun” në Europë, për të ngjitur shefin në altarin e shumëlakmuar..

Sa herë që flitet për trukime, na duket sikur ka ndodhur më e keqja nga të gjitha.. sepse në mes është futur paraja. Dhe kur ka tradhëti tek paratë, as nuk na bie ndërmend për ato ndeshjet që luhen teatër, ndaj  kalojnë si pupël  dhe harrohen si me buton. Një javë më parë, kur Skënderbeu me Tiranën futbollin  “e shndërruan” në një biçim  keçi, ku fituesi dhe humbësi ndryshuan  rolet në mënyrë aktoreske, na u duk si një ushqim i shëndetshëm, ngaqë edhe Sport-Radarit..nuk iu prekën interesat. Siç duken bathët, paska qënë provë gjenerale për shfaqjen që do të vinte. Dhe në teatrin e Superligës, të cilit i shtohen katet sa herë që flitet se do ta prishin, na ofrojnë rolin e klakerit që të duartrokasim sa herë që na duhet një ekip, për ta bërë kurban. Sepse ky sistem mbahet gjallë duke vdekur të tjerët…

 G.Sinemati

Botuar ne Panorama Sport