Mendjen e kishin ndoshta në Europë, ndaj dhe nuk e mbyllën ndeshjen. Atalanta dhe Berat Gjimshiti u desh të përballonin një reagim të Krotones për të fituar 2-1 jashtë fushe në Serinë A, por duket se tani skena do të zhvendoset në Champions. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare dhe shokët e tij do të jenë përballë Liverpulit, dhe shpresojnë që ky sezon të jetë si ai i kaluari, pse jo edhe më i mirë. Edhe me kontributin e Gjimshitit, Atalanta arriti deri në çerekfinale, ku u eleminua vetëm në sekondat e fundit nga Paris SG, ekipi nënkampion i Europës në fuqi.
“Ndaj Krotones nuk e mbyllëm dot ndeshjen edhe pse i patëm rastet, – tha mbrojtësi nga Kosova për televizionin e klubit, – gjithsesi, rëndësi pati fitorja. Tani do të luajmë ndaj Liverpulit dhe jemi me shumë besim. Kemi disa problem fizike dhe do na duhet pak kohë për të marrë veten. Ne luajmë në shtëpinë tonë dhe besojmë se mund të marrim rezultat pozitiv”.
Një tjetër mbrojtës i kombëtares bëri debutimin në Serinë A. Ky ishte Ardian Ismajli që u aktivizua në minutat e fundit të ndeshjes së Specias ndaj Juventusit. Shqiptari i Kosovës kaloi tek Specia këtë verë dhe shpreson të ketë një karrierë të mirë në Itali, ashtu si Gjimshiti, Strakosha, Berisha apo Kumbulla.
Një tjetër shqiptar nga Kosova, dhe që luan për ekipin përfaqësues të Kosovës, Vedat Muriqi, këtë herë luajti titullar. Sulmuesi u aktivizua që nga fillimi nga trajneri i Lacios, Inzagi, për ndeshjen në fushën e Torinos, ku edhe mori pjesë në aksionet e golave. Lacio fitoi 4-3 në mënyrë dramatike, ndërsa portieri i kombëtares shqiptare, Tomas Strakosha, ishte në stol sepse sapo ishte kthyer nga dëmtimi. Nuk pati minutazh këtë herë për Marash Kumbullën për Romën, për shkak të ngarkesës së madhe të mbrojtësit në ndeshjet e fundit.
Sfidanti.al