Kombëtarja “gjysmagjel”, pas Bares e Dermakut, vjen edhe dëmtimi i Odise Roshit!

Nëntori pritet të jetë muaj aspak i lehtë. Kombëtarja shqiptare besohet se do të ketë disa mungesa për ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Kazakistanit dhe Bjellorusisë në datat 15 e 18. Njëri nga emrat më të rëndësishëm që nuk do të përgjigjet në apel, me shumë gjasë, do të jetë ai i Odise Roshit. Njëri nga futbollistët më të mirë të ekipit përfaqësues, edhe pse jo i aktivizuar rregullisht për shkak të skemave të trajnerit Edi Reja, është i dëmtuar, dhe nuk po aktivizohet as në skuadrën e tij në Premier Ligën e Rusisë.

Roshi mbërriti i dëmtuar në kombëtare që për ndeshjen e 7 shtatorit ndaj Lituanisë në “Arenën Air Albania”, ku hyri si zëvendësues në pjesën e dytë, por nuk arriti ta përfundonte sfidën. Pasi ndjeu shqetësime, ai kërkoi ndërrim dhe trajneri Reja e nxorri shpejt nga fusha pa u mbushur mirë shumë minuta, duke e shkëmbyer me Brojën. Më pas, 29-vjeçari kaloi një fazë riaftësimi tek Ahmati i Groznit në Rusi, dhe u kthye në fushë si zëvendësues në minutën e 53-të të ndeshjes së Premier Ligës në fushën e Rostovit në 18 tetor.

Lëndimi iu përsërit dhe që nga ajo kohë ai nuk ka luajtur më. Përveç Roshit, kombëtarja pritet të ketë edhe mungesa të tjera në sfidat që do të luajë në Tiranë. Mbrojtësi Dermaku dhe mesfushori Bare janë të dëmtuar, ndërsa Gjasula e Ramadani mund të kenë probleme udhëtimi për shkak të kufizimeve të koronavirusit.

Sfidanti.al