Nuk ishte vetëm ardhja e David Silvës, ndonëse ajo ishte “qershia mbi tortë”. Real Sociedad, një nga skuadrat më krenare baske dhe spanjolle, është në krye të renditjes së La Ligës, edhe pse me një ndeshje më shumë të luajtur sesa Reali i Madridit. Gjithsesi, është ekipi që shënon më shumë, 18 gola, dhe që pëson shumë pak, vetëm 4, ndërsa lihet prapa vetëm nga Atletiko e Madridit që ka pësuar 2 gola. Fitorja e fundit, 4-1 në fushën e Seltës, bëri shumë përshtypje.
Në fund të fundit, flasim për një klub që sezonin e kaluar pati buxhet prej vetëm 81 milionë eurosh, në krahasim me gjigandët Barcelona e Real që i afrohen 700 milionë eurove, apo edhe Atletikos me mbi 350 milionë. Jo vetëm kaq, por edhe Sevilja (185 milionë euro), Valencia (171 milionë), Atletik Bilbao (103) apo Betisi (100) kanë buxhete më të lartë sesa baskët. Gjithsesi, skuadra e trajnerit Imanol Alguasil po e tregon veten më lart sesa i ka mjetet financiare, ndërsa në përbërje ka lojtarë si kapitenin Ijarramendi, Ojarzabal, Barreneçea, Zubimendi, Zaldua, David Silva, Adnan Januzaj, Elustondo, Portu apo Zubeldia, shumica të lindur në Vendet Baske.
Sfidanti.al