Gjimshiti është shpresa e kombëtares, në formë të madhe para Polonisë!

Në një periudhë kaq të vështirë, është një shpresë e vërtetë. Berat Gjimshiti jep garanci për kombëtaren shqiptare ndërsa afron ndeshja ndaj Polonisë në eliminatoret e Europianit, ndërsa shumë nga kuqezinjtë e tjerë ose janë të dëmtuar, ose luajnë fare pak. Qendërmbrojtësi kuqezi, i rikthyer që në fillim të shkurtit në formacionin e Atalantës në Serinë A, po luan pa asnjë ndërprerje si titullar, dhe madje po merr vlerësime mjaft të mira, siç ndodhi edhe në sfidën e kësaj jave me Milanin në “San Siro”. Mediat në qytet theksuan se shqiptari ishte njëri nga të paktët lojtarë që mund të veçoheshin nga dueli në Lombardi.

Së fundmi, Gjimshiti dha një intervistë për të përditshmen “Tutospor” të Torinos, ku tregoi për formën që po kalon dhe për objektivat në Bergamo.

Edhe pse mbërritja e zonës Champions duket e vështirë këtë sezon, gjithsesi, shqiptari nga Kosova mendon se edhe kualifikimi në Ligën e Europës do të ishte sukses për një skuadër të vogël si Atalanata. Gjimshiti komenton karrierën e tij të gjatë në Bergamo, ku luan të paktën prej 5 sezonesh, dhe thekson se nuk e priste që të luante kaq shumë ndeshje dhe të arrinte deri në Ligën e Kampionëve. Futbollisti 30-vjeçar thekson se e ka lënë prapa dëmtimin që e pengoi në fazën e parë të edicionit, dhe se është në formë shumë të mirë. Falë kontributit edhe të qendërmbrojtësit kuqezi, Atalanta u kualifikua për tre sezone radhazi në Champions.

Sfidanti.al