Jemi në Katar, ku organizimi i një Botërori duket si diçka ekzotike. Shpesh në Perëndim janë përqëndruar më shumë tek problemet, si të drejtat e njeriut dhe vdekjet e punëtorëve që ndërtuan infrastrukturën, ndërsa një tjetër shmangie nga futbolli ishte ngjarja me gazetarin danez Rasmus Tantholt në Doha. Ai ishte në lidhje direkte me televizionin e tij, TV2, dhe u bë gati për të nisur raportimin, por shpejt e kuptoi se nuk mundej ta bënte atë gjë. “Zotëri, ju ftuat të gjithë botën për të ardhur këtu. Ju e ftuat gjithë botën. Përse nuk mundemi që të filmojmë këtu. Ky është një ambient publik! Gazetari u përpoq të sqarohej. “Ky është akreditimi dhe sipas tij ne mund të filmojmë kudo që të dëshirojmë”.
Njerëzit e sigurisë nisën t’i sqaronin se vendi që quhej Katara nuk cilësohej publik dhe se ata nuk mund të filmonin. “Dakord, ju mund ta thyeni kamerën. Dakord, thyejini kamerën. Pra, ju po më kërcënin se do të më shkatërroni kamerën?” Pas kësaj, Tantholti njoftoi në Tuiter se kishte marrë një kërkesë faljeje nga Zyra Ndërkombëtare e Mediave në Katar dhe nga Komiteti Suprem i Katarit për organizimin e Kupës së Botës. Gjithsesi, ai shprehu shqetësimin nëse një gjë e tillë mund t’i ndodhë në të ardhmen atij apo edhe mediave të tjera, ndërsa theksoi se duket se jo i gjithë personeli i sigurisë e ka marrë siç duhet mesazhin për këtë Kupë të Botës.
Sfidanti.al