FSHF ende pa miqësore për Shqipërinë

Kombëtarja Shqiptare nuk ka gjetur ende kundërshtarë për miqësoret e muajit mars që do ta ndihmonin trajnerin Sylvinho për të krijuar një ide më të qartë rreth formës së grupit aktual. Edhe pse kualifikimin e kemi siguruar më shumë se dy muaj më parë, në FSHF po përpiqen që të sigurojnë minimalisht dy sfida por mesa duket deri në këto momente e kanë të pamundur që të gjejnë rivalë në lartësinë e grupit kuqezi. Opsioni i një turneu miqësor në Afrikë duket i sfumuar ndërsa emrat në “pjatë” nuk janë të shumtë pasi të gjitha skuadrat duket se janë sistemuar nga federatat përkatëse e në këtë drejtim, shtëpia jonë e futbollit është një hap pas.

Në një kohë që Maqedonia e Veriut, Serbia apo Mali i Zi e Kombëtare të vendeve fqinje i kanë mbyllur disa kohë më parë bisedimet me ekipet që do të sfidojnë, Shqipëria mbetet ende në pritje dhe me kalimin e javëve mund të bëhet më e vështirë për të gjetur një kundërshtar të denjë e jo shumë larg Shqipërisë për të evituar në këtë mënyrë edhe udhëtimet e gjatë kontinentale.

sfidanti.al