Barazimi që nuk ndihmon asnjë…

Teuta dhe Tirana regjistruan një barazim që në “Niko Dovana” nuk ndihmoi asnjë skuadër në garë për objektiva të ndryshëm. Me këtë pikë, tashmë bardheblutë nuk mund të synojnë më një nga dy vendet e para për të shpresuar më pas në një avantazh minimal në finalen katërshe ndërsa në krahun tjetër, Teuta shpresonte tek një 3-pikësh që mund ta ngjiste minimalisht  në vendin e nëntë por tashmë mund të shpresojë që kundërshtarët të bëjnë sa më shumë hapa falsë dhe djemtë e detit të rikthehen te rezultatet pozitive në pjesën e mbetur të sezonit.

Lajmi i vetëm pozitiv për skuadrën e Edi Martinit është sinjali që dha edhe pse në disavantazh 2-0 duke mos u dorëzuar dhe Matias Lloci arriti të mbante gjallë shpresën për të cilën në këto momente Teuta ka nevojë tmerrësisht shumë. Në krahun tjetër, Tirana regjistron një barazim që ka shijen e disfatës jo vetëm për shkak të shpërdorimit që i bëri avantazhit por edhe për faktin që tashmë mund të detyrohet të luftojë vetëm për vendin e katërt me Vllazninë pasi në krye, llogaritë duken të bëra.

sfidanti.al