“Frans Futbolli” zgjedh treshen sulmuese historike të Championsit

Vitet e fundit bota ka njohur disa treshe sulmuese. Mesi-Suarez-Nejmar (MSN) ishte më e mira, ajo që vendosi rekordin e golave për një “trio” në një sezon. Jo pak ishte Benzema-Bejl-Kristiano Ronaldo (BBC), ndërsa Paris SG tenton të ketë më të shkëlqyerën e momentit, MCN (Mbape-Kavani-Nejmar).

Gjithsesi, një media që e di se çfarë është historia, pikërisht krijuesja e Topit të Artë, pra “Frans Futbolli” (France Football), ka bërë një zgjedhje tjetër për treshen më të madhe të të gjitha kohëve në Kupën e Kampionëve, plus Championsin. Në një shqyrtim dhe analizë të çdo ekipi të madh dhe të çdo reparti ofensiv jashtëklasi, “FF” vendosi në vend të parë treshen fantastike dhe të pavdekshme të Realit të Madridit, të viteve 1958-1966, të përbërë nga Alfredo Di Stefano, Ferenc Pushkash e Fransisko Gento (Hento, nëse e lexojmë si spanjollët).

“Një pakt i bërë në ferr”, shkruan një media, që me siguri duhet të ketë qenë media kundërshtare e atij Reali. Ata që e duan futbollin do të thoshin “një pakt i bërë në parajsë”. Gento ishte i vetmi ndër ta që fitoi 6 herë Kupën e Kampionëve, Di Stefano ishte kapiteni dhe udhëheqësi, ndërsa Pushkash ishte gjeniu, më i talentuari sidomos për golat, por që tek Reali erdhi paksa vonë.

“Ai e kontrollon topin me të majtën më mirë sesa e kontrolloj unë me dorë, – tha atëherë pa komplekse, Di Stefano për Pushkashin, – unë ia pasoja gjithnjë topin, isha i sigurt se ai do të shënonte dhe kështu ndodhte. “Panço” (ashtu e quante Di Stefano, Pushkashin) kurrë nuk gabonte, do të shënonte edhe sikur në portë të ishin 3 portierë. Një futbollist i madh, një njeri i madh, i ndershëm e zemërgjerë. i jashtëzakonshëm”.

Pushkash shënoi 242 gola në 262 ndeshje për Realin, 380 gola në 367 ndeshje për Honvedin e Budapestit, 84 gola në 85 ndeshje për Hungarinë. Gento realizoi më pak, 178 rrjeta në 606 takime, ndërsa Di Stefano pati 308 realizime në 396 ndeshje për madrilenët. Kjo, për “Frans Futbollin” është treshja më e madhe e sulmit në të gjithë Kupën e Kampionëve, dhe besohet se as këtë herë revista e madhe franceze nuk është gabuar.

Sfidanti.al