Shpikja e fundit nga Parisi ishte avioni. PSG shpalosi para gjithë botës krijimin e fundit të artistëve të paguar nga klubi, pikërisht aeroplanin e skuadrës, me emrin EMIRATES të shkruar me germa të mëdha, por sidomos me stampimin e fotove gjigande të disa prej lojtarëve më të mirë.
Një aeroplan i personalizuar, vërtet i veçantë dhe i bukur, me të cilin skuadra franceze fluturoi për në Madrid, ku do të luajë në Champions ndaj Realit, veçse ky veprim duket më shumë si një mburrje para kohe, apo një përpjekje për të vlerësuar lart veten në sytë e botës. Besohet se drejtuesit e Paris SG, sidomos sheiku Naser Al-Helaifi, ndjen një boshësi në shpirt kur mendon sesa pak ka fituar ekipi në krahasim me gjigandët Real, Barça, Bajern apo të tjerë.
Nëse francezët ia dalin që ta eleminojnë Realin, apo edhe që të përballen siç duhet me 12 herë kampionët e Europës, atëherë kontinenti do të nisë të mendojë ndryshe për ta. Nëse, në të kundërt, ikin pa lavdi, këto historitë e avionëve të personalizuar do të kthehen në barcaleta kundër tyre.
Sfidanti.al