I duhet vetëm një pikë për kualifikimin, por nuk ka ndërmend të rrezikojë aspak. Didie Deshamp, jo më kot ka 7 vjet si trajner i Francës, dhe përvoja i thotë se nëse nuk do të jetë në 100 për qind ndaj Moldavisë e Shqipërisë, mund të ketë të papritura të hidhura në eleminatoret e Europianit. Tekniku i gjelave, pasi u njoh me formën e lojtarëve që ka në dispozicion, vendosi të mos kursente asgjë.
Mediat franceze shkruajnë se formacioni në të dyja përballjet pritet të jetë më i forti i mundshëm, me yjet Pavar, Varan, Lengle, Grizman e Mbape që të gjithë titullarë. Skema e mundshme e Deshampit mendohet të jetë ajo 4-2-3-1, me Ben Jederin e Monakos si qendërsulmues, dhe treshen Koman-Grizman-Mbape pas tij. Mungesat janë të shumta, me të dëmtuar portierin Joris, mbrojtësit Ajmerik Lapore e Lykas Hernandez, dhe mesfushorët Pol Pogba e Blez Matyidi.
Përgatitjet e kampionëve të botës kanë qenë nën presion, pasi mediat spanjolle kanë protestuar që Deshampi nuk ka thirrur sulmuesin e Realit, Karim Benzema. Ky i fundit është në formë të madhe, por mbetet i përjashtuar që nga viti 2015, pas një skandali me ish-shokun e ekipit Valbuena.
“Çfarë po presin, – titullon në formë pyetjeje gazeta “Marka”, në një formë presioni ndaj trajnerit Deshamp, – forma e madhe e Benzemasë rihap debatin nëse duhet të kthehet në kombëtaren e Francës”. Gazeta “AS” po e Madridit shkruan se Deshampi është nën presion nga një pjesë e publikut për të kthyer në ekip sulmuesin e Realit. “Franca thërret Benzemanë”, – titullon e përditshmja. Tifozët francezë mendojnë se sulmuesi i Realit është në formë më të mirë sesa Grizman, Mbape e Zhiru, që preferohen nga Deshampi.
Sfidanti.al