Ardhjen në këtë klub e cilëson si vendimin më të mirë të karrierës. Kështu është shprehur Pep Guardiola, por me gjasë epokës së tij tek Mançester Siti po i vjen fundi. Mediat nga Gjermania pohojnë me siguri se trajneri katalanas do të bëjë një lëvizje sensacionale drejt Mynihut.
“A do të kthehet sërish Pepi?” – ishte titulli kryesor i revistës “Sport Bild”, që sqaron se Bajerni ka një listë me 3 kandidatë. Revista gjermane citon burime pranë familjes që shprehen se e shoqja e Guardiolës nuk është përshtatur me jetën në Mançester, ndërsa ka nostalgji për tre vitet e kaluara në Bavari. Trajneri ka mbajtur në pronësi edhe shtëpinë e blerë në Mynih, kur ishte tek Bajerni.
Ish-strategu i Barcelonës arriti suksese të mëdha në “Alianc Arena”, duke fituar tre tituj kampionë radhazi. Gjithsesi, ai nuk mundi të fitonte Championsin, duke u eleminuar vazhdimisht nga skuadra spanjolle si Reali, Atletiko apo Barcelona. Rikthimi i tij u mundshëm mund të bëhet edhe për të synuar atë që nuk e fitoi dot në vitet 2013-2016.
Guardiola, po ashtu, po njeh triumfe të mëdha me Mançester Sitin. Tekniku fitoi dy tituj kampion radhazi në Premier Ligë, në 2018 e 2019, po ashtu Kupën e Anglisë, Kupën e Ligës dhe Superkupën e Anglisë. Gjithsesi, ai ende nuk e ka fituar Ligën e Kampionëve as në Mançester, dhe shpreson që t’ia dalë këtë sezon.
Sfidanti.al