Reja për Xhakën e Grezdën: Askush nuk është Mesi, kush nuk do, të mos vijë!

Nuk është mësuar të shohë mungesat apo të ankohet. Edi Reja, për këtë arsye cilësohet një trajner nga ata të vërtetët, dhe i tillë u duk edhe në daljen para mediave, për duelin në Europian ndaj Andorrës. Italiani nuk i përmendi fare problemet, por thjesht kërkoi që të harrohej Franca, e të mendohej vetëm për ndeshjen e radhës.

“Unë kam një skuadër me djem inteligjentë, që e dinë sesa vështirësi mund të sjellë një ndeshje e tillë, – u shpreh Reja, – E kam thënë shumë herë, dhe lojtarët e dinë. Që nga dita e parë që jemi mbledhur këtu u kam thënë se pika jonë e rëndësishme e referimit është Andorra. Nëse nuk fitojmë ndaj Andorrës, gjithçka që kemi bërë deri tani do të anulohej plotësisht. Dua që ata që zbresin në fushë të japin më shumë se 100 për qind. Andorra edhe në Turqi humbi në minutën e fundit, pra nuk ka skuadra të lehta”.

Me çfarë mënyre do të kërkojë Reja që të arrijë fitoren? “Skema 4-3-3 ka qenë gjithnjë skema ime e preferuar, – pranoi ai, – Është padyshim diçka e mirë, e praktikueshme, por nuk është se kam shumë kohë ta praktikoj këtu. Duhet shumë punë për t’u mësuar me skema të caktuara. E kam nisur me 3-5-2 dhe do të vazhdoj me të. Skema 3-5-2 është edhe më sulmuese sesa 4-3-3, pasi kemi dy sulmues dhe dy lojtarë krahu. Nëse e keni vënë re, sa herë që sulmojmë dhe dalim në vijën fundore, kemi gjithnjë 4 lojtarë në zonën kundërshtare”.

Ka bërë bujë lajmi për refuzimin e Taulant Xhakës. “Xhaka? Unë fola me të, nuk fola drejtpërdrejt unë, por ndihmësit e mi, – sqaroi italiani, – i thamë se ishte i grumbulluar dhe se do të luante një nga dy ndeshjet. Na tha se kishte pasur probleme muskulore në ndeshjen e fundit në Zvicër, duke dalë nga loja para kohe. Ai preferoi më mirë të rrinte në shtëpi dhe të merrte veten, sesa të rrezikonte, dhe kështu u bë. Kështu ka ndodhur. Nuk ishte zgjedhje e jona, por zgjedhje e tij”

Gjithsesi, trajneri e pa të udhës të jepte një mesazh të fortë. “Ne kemi arritur një ekuilibër si skuadër, me një grup do të thosha të jashtëzakonshëm, – theksoi trajneri, – Janë të gjithë të qetë, të kënaqur. Xhaka dëshiron të luajë, herën e fundit nuk luajti dhe sikur u mërzit pak, por kush vjen këtu nuk duhet të krijojë probleme. Në këto dy ndeshje mund të luajnë të gjithë, por edhe mund të mos luajë asnjëri. Përgjegjësinë e ka trajneri. Ata që nuk duan, nuk mund të jenë pjesë e jona. Kush e do Shqipërinë, vjen edhe nëse nuk luan. Është Shqipëria që luan, jo lojtarë të veçantë. Më vjen keq për Grezdën, pasi nuk pranoi disa situata, dhe i thashë që të shkonte në shtëpi. Kush mendon se është Mesi, nuk ka vend këtu”.

Besohet se ndaj Andorrës nuk do të ketë më shumë se 2 apo 3 000 tifozë në “Elbasan Arena”, pasi të gjithë duket se e kanë mendjen tek Franca. “Nëse do ishte në dorën time, do trokisja derë më derë  dhe shtëpi më shtëpi, për të na ndjekur në ndeshjen ndaj Andorrës, – kërkoi tekniku, – Duhet konsideratë për skuadrën sepse po bën lojë të mirë, por shënon dhe normalisht kërkoj që për këta djem që japin maksimumin të ketë më shumë konsideratë pavarësisht se kush është rivali. E përsëris, për ata që kanë mundësinë, pasi është dhe ditë pune, i ftoj të na ndjekin ndaj Andorrës. Për Francën do të flasim, pas ndeshjes me Andorrën”.

Shqipëria luan nesër në mbrëmje ndaj Andorës, në orën 20:45, në “Elbasan Arena”.

Sfidanti.al